Analiza post Lushnja, vlerësime por edhe kërkesë për të vazhduar kështu

Shtyp

Fitorja në ndeshjen e fundit me Lushnjën do të lihet pas dhe të gjithë në kampin shkodran kanë nisur të mendojnë tashmë për sfidën e rradhës, atë me Teutën. Vllaznia përpara fillimit të stërvitjes së sotme, ka filluar si zakonisht analizën e ndeshjes së kaluar. Në të ka marrë pjesë edhe administratori Gjyrezi i cili në fjalën e tij para skuadrës, i ka përgëzuar futbollistët për karakterin dhe shpirtin e garës që treguan në Lushnjë, çka solli edhe fitoren. Por, njëkohësisht ka kërkuar prej tyre seriozitet maksimal edhe në vazhdim, sepse skuadrën e pret një sfidë edhe më e vështirë, ajo me Teutën, e cila duhet kaluar me sukses edhe ajo. Kanë folur edhe futbollistët të cilët nuk kanë dashur të marrin merita për fitoren e fundit sepse në fund të fundit kanë bërë detyrën. Njëkohësisht, disa nga titullarët deklaruar se 3-4 ndeshjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme dhe që do përcaktojnë shumë gjëra për vazhdimësinë. Nga ana tjetër, trajneri Gjoka ka vlerësuar përkushtimin e shfaqur ndaj Lushnjës por u ka bërë të qartë futbollistëve të tij se kundërshtari i rradhës do të jetë shumë më i fortë dhe do ketë shumë herë më shumë ambicje për të marrë pikë në Shkodër. Prandaj sipas tij, Vllaznia duhet të tregojë aftësitë e veta në këto ndeshje delikate dhe mundësitë për ta bërë këtë gjë janë. Ai ka ngritur edhe shqetësimin për ndonjë moment kur skuadra nuk zbatoi detyrat duke i dhënë mundësi kundërshtarit të hynte në lojë por për fat, kuqeblutë morën sërish frenat e lojës në dorë dhe arritën të fitonin. Me besimin se fitoret mund dhe duhet të vazhdojnë, skuadra ka vijuar me procesin stërvitor duke nisur tashmë përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Teutën.
© vllaznia.al

Joomla Templates and Joomla Extensions by JoomlaVision.Com